logo


ZadrimaZadrima shtrihet në pjesën veri-perëndimore të vendit tonë. Sipërfaqja e saj është 349 km2 dhe popullsia rreth 60 000 banorë. Eshtë e vendosur në dy qarqe: në atë të Shkodrës dhe të Lezhës, me 40 fshatra të shpërndara në pesë komuna: në Bashkinë Vau Dejës dhe Komunat Bushat, Hajmel, Dajç dhe Blinisht.
Zadrima bën pjesë në Ultesirën Perëndimore, në pjesën veriore të saj dhe ka një reliev përgjithësisht fushor të rrethuar në formë vezore, duke filluar nga mali i Shën Markut, Shitës, dhe i Kreshtës nga lindja, si dhe Malet më të ultë të Kakarriqit, Bushatit dhe Beltojës nga perëndimi. Fusha përmes saj karekterizohet nga ngritje të lehta dhe të buta kodrinore, si ato të Pistullit, Mabës, Dajçit, Kodhelit, Fishtës dhe Troshanit.
Zadrimën e përshkojnë dy lumenj: lumi Drin, i cili njihet edhe si kufiri i saj verior dhe lumi Gjadër, te cilet të bashkuar rrjedhin drejt Lezhes.
Të dhënat janë të lashta sa edhe vetë historia e njerëzimit. Këto vërtetohen nga shumë dokumenta dhe objekte të çmuara arkeologjike, të njohura edhe në botën shkencore, si kultura e Gajtanit dhe e Komanit.
Në vitin 394 p.l.k. Zadrima ishte nën sundimin bizantin. Zadrimoret shquhen jo vetem si bujq dhe blegetorë të përmendur, por edhe si atdhetarë dhe luftëtarë shumë te zot. Danja, Sapa, Blinishti, apo Sarda jane vende fushëbetejash të njohura në histori. Senati i Venedikut, në vitin 1399 aprovoi me unanimitet, loidhjen e miqësise së ngushtë me krahinën e Zadrimës, që ishte aq e begatë.
Gjatë periudhës së Skendërbeut shumë takime të princave shqiptarë bëheshin në kullën e Zadrimës, në Blinisht. Edhe gjatë viteve të pushtimit osman Zadrima ka mbajtur te ndezur zjarrin e levizjeve për liri. Para shpalljes se pavarësisë, në malet përreth, vepronin çetat kryengritëse. Gjatë luftës nacional- çlirimtare Zadrima ishte në krah të luftës për çlirim dhe dha një kontribut të çmuar. Edhe gjatë viteve të diktaturës perseri Zadrima punoi per lirinë dhe priste agimin e saj.
Ne Zadrimë kalonte rruga e kalldrëmtë Lezhë –Blinisht-Sapë-Naraç-Danjë qe arrinte deri në Shkodër dhe vazhdonte per ne Zetë. Në Danjë ajo degëzohej dhe vazhdonte per Sardë dhe Kosovë. Kalaja e Sardës, e Danjës, e Sapës sado të dëmtuara nga luftrat dhe koha perseri dëshmojne për një zone historikisht të zhvilluar, me qytetërim të hershëm dhe të organizuar në mbrojtje.
Zadrima, perveç historisë së lavdishme, ka edhe nje trashegimi kulturore të pasur. Në Blinisht është hapur edhe shkolla e parë shqipe, ne vitin 1639. Në Zadrimë kanë lindur figura të shquara të historisë dhe të letërsisë me të cilët krenohet e gjithë Shqipëria, Princi i Danjës dhe i Sapës Lekë Zaharia, bashkeluftëtar dhe krah i fortë mbështetës i Skenderbeut; Gjon Gazulli (1400-1465), humanist, diplomat i Skenderbeut dhe ambasador i tij ne Raguzë, matematicien dhe astronom, ndër më të shquarit e kohës; gjuhëtari dhe historiani Frang Bardhi (1606-1643), autor i fjalorit te pare latinisht-shqip, fjalor qe ka rreth 5640 fjalë shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë; Gjergj Fishta, një ndër autorët më të mëdhenj të letrave shpipe, u lind ne Fishtë. Ishte shkrimtar, perkthyes dhe autor i disa veprave që njihen sot në mbarë botën. Poeti i madh Ndre Mjeda, ishte nga Mjeda dhe veprat e tij më madhore i shkroi në Zadrimë. Figurë e shquar ishte edhe Pjetër Zarishti që është quajtur si “urë kalimi” nga letersia e vjetër shqipe ne letersine e re te Rilindjes Kombetare; Dom Jak Zekaj poet, shkrimtar, piktor; vellezerit Mati dhe Kel Kodheli pionerët e fotografisë shqiptare, dhe shume figura të tjera te lindur në Zadrimë, kanë dhënë kontibut në kulturën e vendit tonë.
Karakteristike per Zadrimen janë edhe shtëpite (kullat) dykatëshe, që spikasin nga tipologjia e veçantë e ndertimit të tyre, me mur guri, e dikur edhe me frëngji, si kështjella.
Veshjet Zadrimore janë ndër më të bukurat në vendin tonë, ku dominojne ngjyrat e gjalla dhe optimiste,e kuqja, e verdha dhe e gjelbra. Këmishat harkate të nuseve, të punuara me shumë finesë, me mëndafsh të bardhë dhe të verdhë, me qazat e qëndisura me zogj dhe figura të kombinuara rombike, me mëndafsh, kanë shumë fantazi dhe art. Jeleket me sumbulla, boçet me shumë kolorit, fodullet e punuara artistikisht me serm dhe ar, gjerdani dhe kurora me florinj, unazat, rizat, thuajse transparente me atë punim aq artistik, flasin për shpirtin krijues dhe finesë të grave dhe vajzave artizane zadrimore. Veshjet e burrave janë më serioze, me çakçirë të bardhë të qendisur lehtë ne fund tek këpucët dhe xhepat, me brez më të shkurtë se të grave, me jelek vishnje ose xhurdi të bardhë, ku dominojne thakët dhe tegelat e zeza dhe kësula e bardhë. Më të bukura se të gjitha janë këngët dhe vallet zadrimore që shquhen për melodi të larmishme, të ëmbël, optimiste dhe të shtruar.

Zadrima është vendi ku kemi lindur dhe jemi rritur, kemi ëndërruar dhe jemi realizuar; i jemi gëzuar natyrës se saj të bukur, ku Zoti ka thurur me aq shume persosmëri, si në parajsë, një tokë aq të begatë, nje qiell aq të qartë, një kornizë vargmalesh ku gjelbërimi, grija dhe kaltërsia shkrihen në krahët e njera tjetrës. Aty, ashtu si Aorta, rrjedhin nëpër trupin e saj të bukur, dy lumenj qe bashkohen tek zemra e saj e vrapojne të çojne ne det ujin e kristaltë e aq të kulluar.
Ta mbajme të pastër, ta veshim bukur Zadimen tonë, që nga zemra e saj të rrjedhë gjithmonë vetem jetë, melodi, dashuri dhe mirënjohje per banorët e saj te mirë.

o Pregatitur nga Grupi i Animatoreve te projektit “Mbeshtetje e dinamikave te Zhvillimit Lokal ne Zonen Rurale te Zadrimes” per levizjen “Zadrima Toka Jone”