logo


Pesonalitete Historike

Gjergj Fishta
Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij bie në sy te famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mesimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjesetar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të “Lahutës së Malësisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” më 1913 “Mrizi i Zanave”.
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, intelektual dhe si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937).

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

VEPRA e FISHTES

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin “E popullit”. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Ndre Mjeda

Ndre Mjeda u lind në Shkodër më 20 nëntor 1866, në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I dëbuar nga urdheri jezuit për mosbindje, Ndre Mjeda u kthye në atdhe, ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme, periudhë kur u lidh me lëvizjen patriotike.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema e njohur romantike “Vaji i bylbylit” u shkruajt më 1887. Në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha `Juvenilia”, ai shkroi, por nuk botoi gati asgjë.

Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si “Liria” (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe dëshira e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t`u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur “Andrra e jetës”, nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në skaj të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin zhytyr. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Më 1901, bashkë me të vëllanë, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve, shprehet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin që sundonte vendin. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë. Ai la edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj.

Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri poetike.

Për veprimtarinë e tij patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko – Borgjez, u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet.

Imzot Frang Bardhi (1606-1643)
Imzot Frang Bardhi ka lindur ne Zadrime (ja leme hulumtuesve te vendosin ne Nenshat apo ne Kallmet). Per disa dekada ka ekzistuar nje lapidar i vogel anes rruges Vau Dejes – Lezhe, pak me tej ku bashkohet rruga qe del nga shkolla e fshatit Nenshat. Ai lapidar te terhiqte vemendjen se ketu, ne kete fshat ka lindur Frang Bardhi, si leksikograf, historian, folklorist dhe etnograf i vjeter. Une sot po flas ne nderim te figures se tij madhore, duke u mjaftuar qe ashtu si Fishta qe ka lindur ne Zadrime, edhe ai i kaloi caqet e perkthimeve fetare pasi kishte interesa me te gjera.
Studioi ne seminarin e Loretos Itali dhe pastaj ne propoganda Fides. Me 1635 emerohet ipeshkev i Sapes. Imzot Bardhi do jete ne rradhet e para te atdhetareve qe i perkushtohen luftes per t’u çliruar nga zgjedha e huaj. Gjendja e mjerueshme e popullit qe vuante ne sundimin otoman ishte nje shqetesim i vazhdueshem i shpirtit te tij qe perpiqej ta shpetonte nga ajo roberi. Kjo eshte pasqyruar me aq shume humanizem ne relacionet qe i dergonte Selise se Shenjte. Keto relacione jane pasuri e madhe pasi japin shume te dhena per gjendjen shpirterore te popullit, per zakonet dhe traditat. Ai kerkonte klerike shqiptare te arsimuar dhe shfrytezonte te gjitha lidhjet per te derguar per studime ne Itali djem vendas.
Frang Bardhi na la si trashegim dy vepra madhore “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Apologjine e Skenderbeut”. Fjalorin e shkroi qe kur ishte student dhe e botoi ne Rome ne vitin 1635. Flalori ka rreth 5000 fjale shqip dhe togfjalesha qe tregojne perdorimin e tyre; shpesh aty sjell edhe shume fjale te lashta. Bardhi mbetet leksikologu i pare ne historine e gjuhes shqipe. Ne fund te fjalorit ka edhe nje material te pasur gjuhesor, si emra mashkullor e femerore, emra farefisnie, emra qytetesh dhe keshtjellash kryesore te Shqiperise, parafjale, pasthirrma, pershendetje si dhe nje dialog te shkurter. Kjo veper i hap rrugen edhe folklorikes sone sepse jane perfshire 113 proverba, shumica origjinale qe perdoreshin nga populli. Ne fjalor ai ka perdorur alfabetin latin.
Vepra tjeter me titull te plote “Gjergj Kastrioti, epirotas, i quajtur Skenderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqipetareve, u kthehet bashkeatdhetareve dhe atdheut te tij”- prej Frang Bardhit, u botua ne Venedik me 1635.
Vepra eshte nje lloj mbrojtjeje qe i ben autori Skenderbeut, si bir dhe hero i popullit shqipetar, prandaj eshte quajtur Apologjia e Skenderbeut. Me 1631, boshnjaku Tomko Marnaviçi, peshkop, kishte botuar nje liber te vogel ku pretendonte se Skenderbeu nuk ishte me origjine shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçeve. Kete veper autori e ka shkruar per vetem 15 dite, ne kulmin e zemerimit, ne rruge e siper, kur po kthehej ne Shqiperi, per te hedhur poshte mendimet e pathemelta te peshkopit Marnaviç. Kete fallsifikim Bardhi e quan “te kobeshem”. Kjo i jep vepres nje fryme te mprehte polemike dhe nje stil energjik. Atij i dukej sikur po te heshtte, do ta tradhetonte veten dhe atdheun. Mendjemprehtesia, kultura, horizonti i gjere dhe aftesia per te perdorur gjeresisht argumente bindese dhe te sigurta jane karakteristike e vepres; ai vlereson dhe krahason ne menyre kritike burimet pasi zoteron ne perfeksion metoden e shkences historike. Patosi i ngritur, fraza e gjate dhe e ngjeshur, gjuha e mprehte plot thumba per te hedhur poshte fallsifikimet e kundershtarit, e bejne vepren me shume se polemike historike, nje liber me vlera letrare.
Imzot Frang Bardhi, me veprat qe na la mbetet perjetesisht nje figure shume e shquar e kultures shqiptare e shekullit te XVII. Njeri me personalitet te fuqishem dhe atdhetar, Bardhi do te vdese fare i ri, ne moshen 37 vjeçare, kur mund te bente aq shume per lirine e popullit te vet dhe zgjimin e ndergjegjes kombetare.

o Referuar “Ne perkujtim te figurave te shquara te Zadrimes ne Vau Dejes” nga Zef Vokrri-Kryetar i Shoqates Nderkomunalja Zadrime

Leke Zaharia, princ i Danjes dhe i Shazit.
Shekulli i katert i mijevjeçarit te dyte, e gjen familjen princore Zaharia shume te fuqishme, sa ishte bere edhe mbrojtese e Arberise. Ajo njihej edhe me mbiemrin Altisferi; por nje shekull me vone situata do ndryshonte. Dime se perandoria turke kishte hedhur syte me tej ne perendim dhe popujt e Ballkanit i shikonte si kafshate e vogel ne raport me ambicjet madhore qe kishte. Ajo kishte thyer barbarisht princat shqipetare njerin pas tjetrit, duke shkaterruar keshtjella dhe objekte fetare, nje pasuri e vyer e trashegimise sone kulturore. Fatin e keq e paten edhe qyteti i Sapes dhe po aq , ne mos me egersisht Danja, kryeqendra e Zahariajve dhe veçanerisht Sarda.
Leka i vogel, sipas shkrimeve do strehohej ne Sape, i fshehur me mbiemer tjeter per te mbijetuar. Ai merret nga ungji i vet Uran Zaharia dhe vazhdon nje shkolle ushtarake ne Napoli te Italise. Behet fjale ne periudhen kur Skenderbeu sherbente ne ushtrine turke. Ndersa perandoria e madhe barbare po pergatitej per lufte kunder Huniadit te Hungarise, Leke Zaharia ishte kthyer ne Danje dhe duke perfituar nga mungesa e vemendjes turke per Arberine, qe e kishte nenshtruar, punon intensivisht per pergatitjen e terrenit per bashkimin e princave shqipetare ne Ligen qe do te behej ne Lezhe, duke shtruar udhen per ardhjen e Kastriotit. Leka ishte pronar, jo vetem ne fushen e Zadrimes por edhe ne luginen e Drinit dhe te Bunes, duke patur çelesat qe hapnin portat e udheve te medha qe vazhdonin ne portet tona ne perendim Tivar, Ulqin e Shirq, e qe vijonin ne veri e lindje drejt Prizrendit e Nishit. Po ne Danje merrte udhe rruga e vjeter, e ndertuar qe ne fillimet e epokes se re, neper Zadrime drejt Sapes dhe Lezhes. Nga haraçet qe karvanet paguanin ne keto pika Zahariajt ishin shume te fuqishem ekonomikisht perveç perfitimit qe kishin nga pronat e veta ne tokat pjellore te Zadrimes, te Bregut te Bunes deri ne Shaz dhe Ulqin. Keto prona dhe udhe lakmoheshin edhe nga Venecianet qe zoteronin thuajse te gjitha portat lindore te Adriatikut dhe te Jonit, qe u interesonin funksionimi i udheve tregetare ne thellesi.
Zaharia jep kontribute te konsiderueshme qe me kthimin e Skenderbeut ne Kruje dhe duke qene djale i vetem, i premton Kryeprinjesit se, sidoqe te ishte fati i tij ne lufte, pronat e tij mund t’i administronte vetem Kastrioti. Nuk po flasim per Kuvendin e Lezhes me 1444 , ku Leka do te ishte nder kontribuesit kryesore te Liges. Por fati i kishte percaktuar perfundimin me te palavdishem. Ne dasmen e motres se Skenderbeut me princin Muzak Topia, me 26 janar 1445, ne Muzakine, nje vend ne mes Durresit dhe Krujes, shpurat e dy Lekeve, Zaharise dhe Dukagjinit bejne nje beteje te vertete ne mes tyre, ku u vrane, sipas Nolit, 102 vete dhe plagosur 200 te tjere. Per te ndaluar tragjedine, Zaharia, sado me trupvogel dhe i urte, e fton Dukagjinin ne duel, ndoshta edhe nga xhelozia per te bukuren Jerine te Zadrimes qe Dukagjini po i kerkonte doren. Zaharia, me sa duket doli me i fituar, ndersa Leka tjeter mbeti i fyer. Skenderbeu, duke shfrytezuar miqesine qe kishte me Pal Dukagjinin, qe ishte vertete burre malesh, i permendur per urtesi dhe bese, i pajton dy Lekat. Nuk kalon shume kohe dhe Leke Zaharia do fejohet me te bukuren e Zadrimes, bijen e princit Leke Dushmani. Ndersa kthehej nga Lezha, ku ve kurore se bashku me kumbaret, njeri prej te cileve ishte Bozhidari, nipi i princit te Malit te Zi Stefan Cernejoviçit, mik dhe shok i beses, vriten ne pusi tek pyelli i Kovinenit, jo larg nga Blinishti. Ne percjelljen e tij mortore mori pjese edhe Kastrioti. Ai largohet pasi vendi kercenohej nga nje sulm i ri nga turqit. Nisen aty per te marre nen mbrojtje keshtjellen Vrana Kontin dhe nipin Hamza Kastriotin por, gjejne flamurin venecian qe valvitet mbi keshtjelle. Nena Bore, e merzitur dhe nen friken e pushtimit te keshtjelles nga Leke Dukagjini, kishte pranuar mbrojtjen veneciane. Skenderbeu, duke qene para nje lufte me te rendesishme me turqit, pas disa betejash te shpejta me venecianet, do beje paqe duke ruajtur disa te drejta levizjesh dhe honoraresh perveç sigurimit se do te ishin aleate ne lufte me turqit, por duke u lene Danjen atyre (venecianeve).
Me 1458 Leke Dukagjini do i pushtoje pronat e Zaharise, fortesat e Danjes dhe te Shazit por vetem me 1463, ai do mund te pajtohej me Skenderbeun.

o Referuar “Ne perkujtim te figurave te shquara te Zadrimes ne Vau Dejes”, mbeshtetur ne romanin historik te shkrimtarit zadrimor Pjeter Gjoni, “Leke Zaharia”.

Pjeter Zarishi

Pjetër Zarishi (1806-1866) lindi ne Blinisht te Zadrimës, kreu studimet e mesme e të larta në Romë, ku edhe u doktorua për filozofi e teologji. Me t’u kthyer në vendlindje, ai u zhgënjye si prej eprorëve të huaj, që shërbenin në Shqipëri, ashtu edhe prej feudalëve vendas që mbanin ofiqet dhe uniformat e administratës së Stambollit. Është pikërisht ky zhgënjim që e frymëzoi poezinë e tij, e cila u botua pjesërisht pas vdekjes së poetit dhe ende sot e kësaj dite nuk i është dhënë e plotë lexuesit. Dora d’Istria shkruante që në vitin 1872 se “Zarishi, që ishte një bashkëkohës yni, ka bërë poezi të bukura shqipe”, ndërsa Zef Skiroi shkruante: “Poezitë e fuqishme dhe përkthimet e mrekullueshme (të Zarishit) … janë destinuar për të bërë një përshtypje të thellë” (1918). Pjetër Zarishi është i pari që shkroi një poezi për Shqipërinë (“Kanga e Shqipnis”) i pari dhe ndoshta i vetmi që na la një poemë kozmogonike (“Krijimi i rruzullimit”) të strukturuar në 13 tingëllima.

Pjeter Gjoni
Ka lindur ne Blinisht te Zadrimes me 03.11.1946. Ne vendlindje ka kryer arsimin tetevjeçar, kurse shkollen e mesme pedagogjike, ne qytetin e Shkodres. Ne vitin 1975 ka perfunduar fakultetin filologjik ne degen e gjuhes dhe te letersise. Ne fillim ka punuar si punonjes kulture, pastaj ka vijuar profesionin e mesuesit duke dhene lenden e gjuhes shqipe, te leximit letrar dhe te letersise ne shkollat tete vjeçare dhe te mesme ne rrethin e Lezhes. Qe ne moshe te re e ka terhequr letersia dhe ka botuar poezi dhe tregime. Me shume e kane terhequr legjendat, gojedhenat, emertesat, kenget popullore dhe letersia dokumentare. Ka bashkepunuar me Institutin e Gjuhesise, te Historise dhe ate te kultures popullore. Ka dale ne shtyp me artikuj te ndryshem nga keto fusha. Ka dhene kontribut modest ne kritiken letrare, kryesisht ne ate per poezine. Me disa artikuj ka replikuar me dinjitet me studiues serbo malazez per emertesa, personalitete e ngjarje qe kane te bejne me historine e etnogjenezes shqipetare. Pas shume vite pune me perkushtim boton permbledhjen e pare per historine e vendlindjes se tij ne vitin 2005 “Me jepni nje emer”. Libri eshte shkruar me shume dashuri dhe frymezim, ka pershkrime artistikisht te realizuara, plot drite dhe gjalleri dhe eshte pritur shume mire nga lexuesi. Kjo ndoshta i dha shtyse, force dhe frymezim pershpejtimit te botimit te librit tjeter me teme historike “Leke Zaharia” ne vitin 2010. Drama e rende e popullit te vet liridashes qe perjetoi kalvarin e mundimshem te okupacionit disashekullor otoman, e favorizuar nga perçarja e princave tone, pa perjashtuar edhe ato ngjarje te dhimbshme te ndodhura fare prane vendlindjes se autorit jane paraqitur me shume realizem dhe evokim te epizmit pa munguar notat nostalgjike te bashkeshoqerimit me aq aroma lirike zadrimore. Shkrimtari meriton pergezimet me vleresuese te çdo patrioti te vet Zadrimor qe rroku tema vertete te veshtira por qe perkojne me realitetet historike te asaj kohe.

Shkrimtarit, poetit, përkthyesit ende të panjohur, priftit,
Jak Zekaj
Njeriu që lindi e u rrit jetim, punoi gjithë jetën i rrethuar nga privacionet e shumta, e së fundmi vdiq si në hije, quhet Jak Zekaj. Jak Zekaj nuk bën pjesë në turmat shumta të njerëzve që janë udhetare te zakonshem në këtë botë. Përkundrazi, ai bën pjesë në atë grup njerëzish që erdhën në këtë botë për të qenë “dikushi”, për të qenë shembëlltyra e së mirës, e prosperitetit. Në gjallje gjithkush e ka njohur dom Jakun. Tashmë që ai prehet në parajsë opinioni ka filluar ta njohë si shkrimtarin, përkthyesin, poetin, piktorin Jak Zekaj. .
Kush ishte Jak Zekaj!
Jak Zekaj lindi në fshatin Baqël të Zadrimës më 13 korrik 1906. Ishte i dhjeti fëmijë i çiftit Prend e Dilë Nikolli dhe i vetmi që jetoi. Në moshën 20 muajshe i vdes e ëma, duke ju privuar përgjithmonë dora e saj. Mëson shkrim e këndim tek Ipeshkëvi në Nenshat. Në moshën 11 vjeçare, pikërisht në vitin 1917 futet në Seminarin Papnuer në Shkodër. Të 5 klasat e para, falë inteligjencës së lartë, dhuratë prej natyrës, i përfundon në 3 vjet. Më pas vazhdon gjimnazin, liceun dhe teologjinë. Në gusht të vitit 1932 dha meshën e parë në Nenshat, në zemër të dioqezit të Sapës. Në shugurimin e tij si meshtar, i dërguar i Selisë së Shejtë ishte Gjon della Pietra, personalitet i dëgjuar i kohës. Vitet e shkollës dëshmuan zgjuarsinë, talentin dhe vullnetin e Jak Zekaj për të mësuar e për t’u bërë njeri i zoti. Libri nuk i mungoi asnjëherë këtij njeriu, ndoshta buka po. Për këtë arsye ndonëse ishte nxënës, shpeshherë ishte dhe “shok” i profesorëve gjermanë, austriakë apo italianë që e mësonin. Por afër e mbante edhe mësuesi shqiptar Gjergj Fishta. Jo thjeshtë se ata, që të dy vinin nga Zadrima, por sepse i bashkonte horizonti dhe vështrimi me të cilin rroknin hapësirat e jetës.
Jak Zekaj zotëronte në mënyrë perfekte italishten, latinishten, greqishten e vjetër, gjermanishten, frëngjishten, por njihte edhe serbo-kroatishten, ebraishten, spanjishten, pak njihte edhe rusishten e anglishten.
Ja çfarë shkruan dom Jaku: “Jam tepër i dhanun mbas literaturës, sidomos poetike, e gadi si i marrë entusiazmohem në leximin e klasikëve greko-romakë, edhe të poetëve të tjerë botnorë. Mundohem me krijue vjersha jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të tjera. Zotnoj fare mirë literaturën greke, latine e italiane, por kam njoftuni bukur të hapët edhe për leteraturë të kombeve të tjerë sidomos europianë, aq sa profesorët dhe shokët më thërrasin letrari enciklopedik, ndoshta për tallje” (Nga dorëshkrimi, “Ditari i një të harruemit”).
Në periudhën gusht-dhjetor 1932 punon në ambasadën e Vatikanit. Ne vitin 1932 perkthen nga autori gjerman Bernard Arens Djali i Myftise ( me nr.inventari 000202813,127 faqe).
Po në këtë vit emërohet meshtar në Kryezi të Pukës, e pas 6 vjetësh në Qelëz deri në vitin 1946. Plot 14 vjet Zekaj i kalon në malet e Pukës, kohë gjatë së cilës ai shpërndan fjalën e Zotit, lajmëron të vërtetat hyjnore, por edhe shkruan libra. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ka dalë nga mendja, zemra dhe dora e Jak Zekaj, ndoshta dhe kryevepra e tij “Java e gjakut” me 1864 faqe dorëshkrim, me rreth 42000 vargje. Kjo vepër e themi me bindje se përbën dhe “Lahutën…” e Jak Zekajt.
Jeta e malësorëve në malet e Pukës, madje shumë primitive, por fisnike, peisazhet hollivudiane të maleve të kësaj zone, me siguri kanë frymëzuar priftin shkrimtar për të krijuar vlera e përgjithësime të dobishme për njerëzimin. Krahas kësaj klima e vështirë i dhuroi fizikut të dom Jakut trupin e drejtë e të shëndetshëm dhe që nga ajo kohë ai çdo mëngjes lante kokën me ujë të ftohtë.
Si për të gjithë klerikët edhe për Zekajn regjimi komunist i rezervoi heqje të lirisë. Në muajt fundit të vitit 1946, pikerisht me 26 tetor, regjimi komunist duke provokuar me te ashtuquajturen Organizim te armatosur te klerit kataolik, me futjen nga ana e sigurimsave të armëve, në Kishën Françeskane te Shkodres, si dhe për organizim të kryengritjes së armatosur të Postribës më 9 shtator 1946, zhvilloi nje vale arrestimesh vetem te klerikeve katolik ku u arrestuan: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca, At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.
Sipas autorit te nderuar Fritz Radovani, në Shkodër numëroheshin 10 burgje, ndërsa sipas funizuesit të bukës duhet të ishin 17. Ishin kthyer në burgje Kuvendi i Franceskanëve, ndërtesa e Jezuitëve, shtëpitë e tregtarëve, i Prelës, i Pogut, i Ulqinakut përvec burgjeve të njohur si Burgu i Madh, Burgu i Gestapos, Burgu i Prefekturës, etj.
”Ishim shumë të dënuar me vdekje në një dhomë, dëshmon Rakip Meta. Ja lista:
1. Hafiz Dërguti (pushkatuar), 2. Ëngjëll Deda, 3. Rrok Mirashi, 4. Mikel Koliqi, 5. Mark Hasi, 6. Ndue Suma,7. Mark Harapi, 8. Karlo Serreqi,9. Agostin Ashiku,10. Marjan Prela, 11. Aleks Baqli, 12. Zef Pllumi,13. Filip Mazreku,14. Frano Kiri,15. Anton Luli,16. Gaspër Suma,17. Injac Gjoka, 18. Jak Zekaj, 19. Lekë Dredhaj, 20. Ciril Cani, 21. Mëhill Cani, 22. Bonat Gjecaj, 23. Tomë Laca, 24. Nikollë Shelqeti, 25. Gjon Karma, 26. Mëhill Karaj, 27. Donad Kurti, 28. Leon Kabashi, 29. Pjetër Gruda, 30. Pal Dedaj”
Qellimi ishte i qarte; asgjesimi i mendjeve me te ndritura qe mund te ndriçonin arsyen e njerezve te thjeshte se ku po i conte “fara komuniste” dhe ku realisht i çoi per pesedhjete vjet ne diktaturen me te eger ne Europen e pasluftes.
Pasi arrestohet, burgoset dhe dënohet me dy vjet burg.
Akuza: agjitacion dhe propagandë. Pikëpamjet dhe qëndrimet e hapura publike të Jak Zekës nuk shkonin në të njëjtin krah me ato të udhëheqësve komunistë. Vetëm burgu shikohej si mundësi për t’i mbyllur gojën atij dhe mijëra të tjerëve që ja vinin veshin fjalës së urtë të Zekës. Edhe jeta e burgut në Kavajë dhe në Shkodër i ofroi subjekte për poezi e tregime, e mundësi për të përkthyer kolosë të letërsisë botërore.
Me daljen nga burgu, ai kthehet si meshtar, në Zadrimën e tij të dashur që e kishte lindur. Shërbeu në Nenshat , Hajmel, Baqel, Kodhel, Shelqet, Naraç, Pistull etj., deri më 19 mars 1967, ditë në të cilën largohet nga famullia e Hajmelit pas mbylljes inkuizioniste nga “populli” të objekteve fetare. Ikjen e kujtonte me mjaft dhimbje. Mbi të gjitha për librat e shumtë që u keqpërdorën dhe humbën gjatë transportit, edhe për të tjerë që u morën nga oganet e sigurimit dhe nuk u kthyen më. Në “karvanin” që e shoqëronin këtë ikje, bënin pjesë dy qerre vetëm me libra. Një arkë nusesh zadrimore u “varros” për t’u zhvarrosur pas pak muajsh për shkak të rrezikut të persekutimit komunist. Të gjitha këto vetëm me libra, fjalorë, fletore të shkruara, piktura, përkthime, etj.
“Unë gjamtar i lanun vetëm, fillova gjamën përmbi therrorët e këputuna prej duerve të tiranëve…e kjo gjamë e përzieme me lotët e mi, kullue mbi kufomë të grumbullueme e mbi gjak të ngrimë, asht operacioni për të cilin ka nevojë shoqnija njerëzore… tue ndie vajin e fëmive që të unshëm lypin bukën e s’ka kush jua nep, e, tue pa lotët e tue ndi ofshamat e nanave të shkreta e dënesat e gocave të shtyeme në poshtërim prej nevojave të jetës… qita britmën e zani em i namët kje lutë, drejtue Hyjnisë, që ta sillte shikimin mbi këto zaje… e të lëshonte rrfenat e veta mbi dhunuesit e të drejtave njëzore…”
Ky pasazh është mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin e shkrimtarit-prift.
Nga viti 1967 deri më 5 dhjetor 1996 kur vdiq, Jak Zekaj, jetoi i “atashuar” pranë nipave, gjatë kësaj kohe vazhdoi të kryente ritet fetare dhe të shkruajë e përkthejë. Për 28 vjet me radhë Jak Zekaj nuk e kaloi kurrë portën e oborrit. I zhytur në vetmi, ai lutej dhe shkruante, madje ai ka shkruar e kënduar për “E lumja vetmi”.
Midis autorëve të përkthyer mund të përmendim: Eskili, Sofokli, Euripidi, Theokriti, Vitorio Alfieri, Ugo Faskola, Hajne, Shekspir, Herodoti, Rousessau, Plutarku, Virgili, Ciceroni, Tomas Hobs, Charl Monteskje, Xhulio Ubertozzi, Volteri, Seneco, Dante Aligieri, etj., etj. Ja ky është Jak Zekaj, autori i mbi 90 mijë vargjve që pret ende të futet në botën e lexuesit, aq të etur për vlera të mirëfillta, larg tregtisë e boshllëkut, të vlerave letrare.
Në atë ditë të ftohtë, të vranët, të 5 dhjetor-it ’96 kur po përcillej për në parajsë, trupi i pajetë i dom Jak Zekës, pak kush e dinte që po shoqëronte shkrimtarin, përkthyesin, njeriun e letrave shqipe. Ai tashmë duhet “zbardhur” falë dorëshkrimeve të shumta që ka lënë si trashëgimi, e që ruhen me kujdes nga nipi i tij Pal Zeka. Ndoshta pas librit poetik të Jak Zekës “Vandaku i ferrave” që tashmë ndodhet në duart e lexuesve, edhe libra të tjerë, me zemërgjerësinë e sponsorëve do të shohin dritën e botimit.
Ndihesh keq kur ke përpara gjithe ato vlera dhe për shkak të pamundësisë financiare mbeten ende në sirtare.
Libra në dorëshkrim të Jak Zekës
1. Java e gjakut – tragjedi (në tri pjesë), 1864 faqe me 42000 vargje
2. Ngushëllimet e vetmisë – vepër me 1064 faqe me përkthime, tregime të shkurtëra, poezi.
3. Ndër mrize ilire, poezi 212 faqe me 4000 vargje.
4. Andrrat e rinisë, poezi 430 faqe me 6450 vargje.
5. Varret e zemrës, poezi 502 faqe me 7500 vargje.
6. Gjamë disprimi, poezi 718 faqe me 10800 vargje.
7. Kapuçat, parodi 120 faqe me 2000 vargje.
8. Zogu i Parë – mbret i shqiptarëve, parodi 872 faqe me 17000 vargje.
9. Ditar i çuditshëm, roman psikologjik me 430 faqe.
10. Ish kapteri Vokrri, roman 352 faqe.

Gjon Gàzulli, astronom e diplomat i shek. XV. (Daniel Gàzulli)
Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat ma të shqueme të shkencës europiane të shekullit të XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidhë dy prej epokave ma në shej të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Tue marrë parasyshë fushat e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofì, diplomacì, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.
Pa dyshim, dy lamejtë ky ai shkelqeu ma shumë janë astronomia dhe diplomacia.
Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, asht e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecies, e sidomos të Raguzës (ku ai jetoi e punoi ma gjatë).
Tue qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera europiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhana të vlefëshme jep edhe leteratura e kohës mbi këte enciklopedi shqiptare.
Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tash për tash të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi me sa na japin autorë të tjerë për te, pse libri i tij për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë Matia Korvini i shkruen: “……ai libri i Juej ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër …i gjetem të shtjellueme në dritë të diellit”, fatkeqësisht nuk na ka ra në dorë e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.

A S T R O N O M I

Gàzulli, simbas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësishë të ndryshme, na sillet herë me emnin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që asht e njejta gja), ashtu edhe me mbiemen të pakristalizuem, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që asht fjala gjithmonë për të njëjten figurë historike e shkencore. Që të mos e endim tepër lexuesin në këto hulumtime, format Gjon e Gjin janë një ngatrrim i thjeshtë pse Gjin quhej i ati.
Nëse Gjoni lindi në tokën amë, apo në Raguzë, ku ishin strehue shumë familje shqiptare mbas trazinave tronditëse të invazioneve turke, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatrrojnë keqas këte temë, por një gja asht e sigurtë: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve, që i la emen të pashlyeshem vetes në historinë kombtare përgjate gjashtë shekujsh.
Po nga kishte ardhë familja Gàzulli në Raguzë?
Gj. Gàzulli – nga P. Sheldia
Për këte na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastres dhe i shitblemjeve për krahinën e Shkodres i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe: Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë si pronarë në Sapë – Zadrimë, disa familje me mbiemnin Gàzulli.
Shuflaj, gjithashtu, në përshkrimin e ngulmimeve iliro-shqiptare, na thotë se Dajçit të Bregut të Bunës i dhanë emnin Dajç të ardhunit prej Dajçit të Sapës (Zadrimës) /shih edhe Regjistrin e Kadastres 1417, ku katër pronarë kanë mbiemnin Gàzulli, çka dëshmon se ata banonin të pakten prej shtatë shekujsh aty ku janë sot e kësaj dite, pra, në Dajç të Sapës (Zadrimës).
Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emen që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këte familje, si asht zakon në Veri të Shqipnisë. Ndërkohë axha i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasun, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.
Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike që i përmendem, ajo rrajët i ka pasë përherë në trojet tona Veriore.
Mbiemni Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës, duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: “gazullor” në atë kohë e ma heret do të thonte “gazmor” i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: “Kangjelë gazullore”, që në shqipen e sotme do të ishte “Kangë gazmore”. Asht gjasa pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshëm, i hareshëm, hokatar – si i thonë popullorçe – , e të jetë thirrë pikërisht për këte, bie fjala, Pal Gazullori, që sot do të ishte Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemni cilësor “gazullor” ndër shekuj asht shndrrue në “gazmor”, mbiemni i familjes, siç asht e natyrëshme, ka mbetë i ngurrtësuem, Gàzulli. Kaq sa për të thanë se toponamistika nuk mund të na ndihmojë shumë për prejardhjen e kësaj familje për shkak të dyndjeve të shpeshta si rrjedhojë e mizorive të kohës. Gjithësesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjoj të shquem të një trungu të padyshimtë shqiptar e ma ngusht të Shqipnisë Veriperëndimore.
Duhet shënue se dokumentat ma të besueshëm mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashigimtar nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit.
Nga këto akte gjejmë të dhana që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe shumë të tjerë që përmenden në këto dokumenta të ardhun prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare.
Këto dokumenta kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse: asnjeni nuk ban fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.
Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvillueme ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë rregjistrat i lindjeve?
Përgjigjen mund ta gjejmë tek një dokument tjetër, protokollin e dhanjes së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”), ku Gjoni quhet Johannis q. Gini Gaxolli de Albania (Gjoni, i të ndjerit Gjin prej Shqipnie), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindë në Shqipni e në Raguzë ishte i ardhun, ndoshta te axha i tij prift e i pasun, Mati Gàzulli. Pra mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjes në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bajnë të padyshimtë vendlindjen e tij në tokën amë. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumenta të viseve të tjera cilësohehshin “DE RAGUSA” tue qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete). Prof. Jahja Drançolli, historian e thellë e i pasionuem, të cilit i takon merita kryesore për ndriçimin e ksaj figure, ka ba një ngatrrim të vogël. Tue mos njohë, ndoshta, latinshten, nuk ka dijtë kuptimin e “q.” në mes emnit dhe atësisë, që ka kuptimin “i dikurshëm”, e në emna të përveçëm përdorej aso kohe, kur i ati kishte vdekë, në kuptimin e “i të ndjerit”. Prandaj edhe do të ishte mirë që shkollës së Mesme Teknike të Prishtnës t’i ndrrohej emni nga Gjin në “Gjon Gàzulli”.
Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte krye studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bahet vetem nëpërmjet referimeve të tërthorta, pse nuk kemi arrijtë me gjetë asnjë vepër të tij.
Atëherë le t’u referohemi atyne.
Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruen për një letër të J. Çesmiçkit ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këte letër, duket të ketë qenë botue dhe ndoshta nuk asht vepra e vetme e shkrueme prej Gjon Gàzullit. Ky hamendësim fiton një gjasë ma të madhe pse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët ma të mëdhej të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740). Atë e përmend edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Po ashtu astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq historiani rus i shkencave egzakte V. Zubobi thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438.
Pra, gjithësesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë europiane.

Si arrijti ai deri këtu?
Simbas gjithë gjasave Gàzulli studjoi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ky kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksueme atdhetare, pse aty morën pjesë shumë arbneshë të Italisë, ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhun kryesisht nga Raguza (përmendin pjesëmarrjen e tyne në këte datë të shënueme Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).
Mbas doktoratës Gàzulli niset «me mision» në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike pse mbi Ballkan po bante gjamën gjysëhana) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439 kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova.
Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën ma të shqueme të asaj kohe “Theorica novae planetaruum” të astronomit vjenez G. Purbah.
Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.
Shumë studjuesë kroatë, marëdhanjet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretnisë ma të fuqishme e ma të lulzueme të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzueme edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.
Siç thamë, një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (para se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyeme. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u ba astronom në za në mbarë Europën, sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dërgue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas Nalmadhninë e tij Korvini se po përpiqeshin me i mbushë mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshën.
Teoria e tij e “yjësive qiellore” tashma ishte ba mbizotnuese në botën shkencore që do të paraprinte Kopernikun. Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquem kroat e ish nxanës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtue pikërisht Gjonit tonë:
“Ju jo vetëm keni plotësue shpresën tonë, por keni ba edhe ma shumë. Libri, të cilin na keni dhurue, na pelqen pa masë. Ai asht aq i mbushun me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshëm. Pranojmë se aty kemi gjetë sqarime për disa thanje të ngatrrueme të astronomëve të lashtë, që prej moti kemi dashtë me i kuptue. Për këte arësye Ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni me shkrue e t’i jepni fund veprës së fillueme, e cila do të ketë randësi të madhe për shkenctarët dhe për famën Tuej …… “
Mbas vdekjes së Gàzullit më 1465, këte vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretnor të Hungarisë, e zuni Johan Myler, ma i famshmi i astronomëve të kohës që, në veprën e tij ma të randësishme botue pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe tue iu kundërvue atij mbi disa trajtesa mbi yllësitë qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë. Asht pikërisht kjo kundërshti – më një anë fama e tij, më anë tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim. Kjo nuk ulë aspak vlerat e tij mbarëeuropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kand Europës: në Krakovë (Poloni), në Karlsrue (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotnuese e ndamjes së yllësive të qiellit për ma se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e qujtun e Campanum dhe Gàzulli, kurse emni i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII. Vetëm në shekullin XVII, kur astronomia gjet mjete të reja studimi e ishte shtye shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet ma rrallë, edhe pse autorë të shquem si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një kandvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së herëshme).
Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim të Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka ba t’u kthehen studimit të atyne faqeve të pakta shumë e shumë studius të ditëve tona.
Me që jemi ende në lamë të shkencës, simbas dokumentave arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave ma të pasuna për kohën, jo vetëm në Raguzë, por edhe ma gjanë.

D I P L O M A T I

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosë jo vetëm në lamë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve ma të shquem të kohës.
Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin me i ba ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Europës, e këta, ma shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u banë aktivë në mbështetjen e këtyne përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.
Mision i parë diplomatik i dokumentuem i Gàzullit asht udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (parardhësin e Korvinit) me rastin e kunorzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumentave raguziane, i ishte besue ma të shquemit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.
Misioni i tij i dytë asht ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni.
Në ato vite, bashkpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qellim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.
Tue qenë i përpimë në këto veprimtari të denduna diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emnon në vend të tij Pal Gàzullin të vëllajn, që cilësohet ndër dokumenta “magister, prudens et literatus vir”, çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllaj tjetër Andrea, do të përmenden ma vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit).
Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllaznit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të randësishëm në atë “stinë”.
Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Europën e krishtenë mbi sa po ndodhte në Shqipni, ku kishin fillue në masë kryengritjet antiosmane me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuem, u angazhue pothuej tanësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bani sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çka po ndoshte në Shqipni tue shfrytëzue udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës.
I gjendun nën trysninë e rrethimeve të njëmbasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuen me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë.
Në gjithë këte veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës ma të randësishëm të Kastriotit, vëllaznit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipnisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qé quejtë “mendja e Kastriotit”.
Por Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arësye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mandjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.
Ishte pikërisht në këte periudhë që doli ma në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat.
Duhet thanë se aty nga fillimi i viteve ’50 e deri sa u shue Fatosi i Kombit tonë, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipnisë me Hungarinë, Raguzën, e me mbarë Gadishullin Apenin. Për këte ka dokumenta të pafund, por nuk asht rasti me i sjellë këtu. Po kujtoj vertëm një frazë të Barletit ”.. e ishte ky Pal Gàzulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemren me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.

Burime:
1. Prof. Jahja Drançolli: Gjon Gàzulli, Prishtinë, 1978.
2. Studime nga At Zef Valentini, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Gasper Gurakuqi, Mikel Prendushi, Moikom Zeqo.